Si ndikon teknologjia në procesin e rritjes së fëmijes tënd!
Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë ka sjellë ndryshime pozitive, por edhe një sërë pasojash negative. Ndër to mund të përmendim ndikimin që ka te fëmijët të qëndruarit gjatë përpara kompjuterit, televizorit apo edhe përdorimi i një celulari nga ana e tyre. Ky përparim i vrullshëm i mjeteve teknologjike ka bërë që fëmijët të rriten në një mjedis virtual, duke e bazuar zhvillimin e tyre edukativ dhe shoqëror kryesisht nga këto mjete. Lidhja kaq e fuqishme midis fëmijës dhe teknologjisë është si një formë varësie, e cila reflektohet në disa drejtime dhe një nga këto është dhe formimi i një brezi të ri të mbyllur në vetvete. Ata kanë frikë të shprehen qartë për ato që ndiejnë dhe bëjnë.
Këtë e vëmë re nëse uleni në një ambient ku ka fëmijë dhe menjëherë do të vëmë re fëmijë të cilët nuk luajnë me njëri-tjetrin, por që luajnë me vetveten”. Pas kësaj, sipas sociologeve na dalin ne pah dhe disa të dhëna të studiuesve në lidhje me kohën e qëndrimit të fëmijëve përpara kompjuterit. “Sipas studimeve të fundit është rekomanduar se fëmijët duhet të ndahen sipas moshave përkatëse. Një fëmijë i moshës 4 – 5-vjeçare nuk duhet të qëndrojë më shumë se 10 – 15 minuta para mjeteve teknologjike, ndërsa një adoleshent jo më shumë se 30 minuta”. Ndër pasojat më të rrezikshme sipas psikologeve janë: “Pasojat psikologjike janë mbyllja në vetvete, pasiguri në iniciativat që ai merr, gjendje emocionale të luhatshme. Këtu kemi parasysh format e frustrimit dhe nxjerrjen në pah të agresivitetit, kequshqyerjen, e cila sot përbën një rrezik shumë të madh për shëndetin e fëmijës. Një nga problematikat që është theksuar kohët e fundit është edhe problemi me komunikimin. Kjo i frenon të ndërveprojnë me moshatarët e tyre. Pra me kalimin e kohës do të kemi fëmijë më pak socialë, të varur nga teknologjia dhe me shenja agresiviteti të dukshme”.
Një problematikë tjetër që vihet re është edhe humbja e krijimtarisë apo edhe kontakti social më fëmijët e tjerë. “Te fëmijët e sotëm mungon krijimtaria, ndërveprimi me bashkëmoshatarët, e cila sjell dhe shprehjen se fëmijët e sotëm nuk dinë të luajnë në mjedisin e jashtëm, pasi jetojnë të mbyllur në botën e tyre virtuale”, shpjegon ajo.
Fëmijët sot nuk dinë të luftojnë emocionalisht për të arritur objektivat që duan dhe e gjithë kjo vjen si rezultat i lidhjes së fortë me mjetet teknologjike. Një rol shumë të rëndësishëm ka familja, të cilët duhet të shmangin qëndrimin e gjatë të fëmijëve të tyre përpara kompjuterit, televizorit apo edhe celularit.
Përveç pasojave psikologjike që janë izolimi social, ekspozimi ndaj dhunës, ka edhe një sërë ndikimesh të tjera. Një ndër ta është edhe dëmtimi i shtyllës kurrizore për shkak të qëndrimit të keq, por një fenomen tjetër po kaq i rëndësishëm është edhe obeziteti apo edhe problemet me shikimin.